Leonardo është ndalur te situata e Nejmar pas miqësores së zhvilluar kundër Nurembergut. Drejtori sportiv i PSG-së thekson se asnjë ofertë nuk ka ardhur në drejtim të sulmuesit.
Braziliani kërkon të largohet nga kryeqyteti francez. Barcelona dhe Juventusi janë të interesuara, pa harruar asnjëherë Realin e Madridit. PSG kërkon të paktën 200 milionë euro për kartonin e 27-vjeçarit, ndërsa palët po monitorojnë situatën për momentin.
Klubet e interesuara presin lëvizjen e njëra-tjetrës, ndërsa kampionët e Francës presin oferta zyrtare në drejtim të “yllit” të skuadrës.
Barcelona mbetet klubi më i avantazhuar për të siguruar shërbimet e lojtarit latin, ndërsa emra si Kutinjo, Umtiti dhe Dembele mund të bëhen pjesë e operacionit gjigant.
“Nuk ka asgjë të re dhe asnjë ofertë konkrete për Nejmar. Ai ka një kontratë me PSG-në dhe vazhdon të jetë një lojtar i joni. E përsëris, nuk ka asnjë ofertë zyrtare për Nejmar. Është e njëjta situatë si para 10 ditësh”, përfundon Leonardo.