Zhoze Murinjo po kërkon të përforcojë skuadrën në merkaton e janarit dhe siç citojnë mediat ishullore, Mesut Ozil është objektivi i trajnerit portugez. Fantazisti i Arsenalit shënoi në fitoren e djeshme përballë Njukasëllit, ndërsa trajneri i “topçinjve”, Unai Emeri, kërkon më shumë nga lojtari me origjinë turke, i cili përfiton 350 mijë paund në javë tek Arsenali
“Është shumë e rëndësishme që Ozil shënoi, sepse kualiteti i tij e ndihmon ekipin”, u shpreh trajneri spanjoll pas përfundimit të ndeshjes.
Murinjo dhe Ozil kanë punuar së bashku tek ekipi i Realit të Madridit, por duhet theksuar që marrëdhënia e tyre nuk ka qenë shumë e mirë. Megjithatë, trajneri i Junajtid kërkon të përmirësojë ofensivën e skuadrës dhe do të tentojë të arrijë akordin me Arsenalin, për ta transferuar lojtarin në janar në “Old Trafford”.
30-vjeçari vjen nga një periudhë e vështirë me kombëtaren gjermane, nga e cila vendosi të tërhiqej përfundimisht. Ai shquhet për cilësitë që zotëron, por ka probleme sa i përket vazhdimësisë. Murinjo e njeh mirë dhe me hapjen e merkatos së janarit do të tentojë të sigurojë shërbimet e Ozil .