Objektivi i Mirel Çotës: E mbyll në elitë me Sopotin

Sopoti kishte objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë, por në fazën e dytë synimi i librazhdasve u zbeh dhe aktualisht janë jashtë gare. Skuadra nga Librazhdi renditet në vendin e 6-të në grupin A me 32 pikë. Për këtë dështim, sulmuesi kryesor i Sopotit, Mirel Çota ndjen keqardhje.

“Sopoti në këtë sezon u ndërtua me elementë shumë cilësorë, të cilët mund të luajnë në Superiore e Kategorinë e Parë. Fati e disa gabime rrugës na penalizuan në synimin tonë. Golat që unë kam shënuar nuk i kanë dhënë skuadrës atë që synuam, por gjithsesi i kanë shërbyer. Me Spartakun mendoj se ishte edhe një sfidë rivalësh”, u shpreh Çota për SportEkspres.com.

Ndërkohë, sulmuesi librazhdas në karrierën e tij i ka provuar të tria kategoritë, pasi ka luajtur në Superiore me Teutën, Tiranën e Dinamon. Edhe te Sopoti ai nuk ndjehet si inferior. “Jam profesionist dhe këtu në Librazhd kam respektuar vendlindjen, pasi e ndjej se kam ende mundësi të jap kontribut në fushën e lojës. Me Sopotin, rruga ime do të mbyllet kur skuadra të ngjitet në elitë dhe do punojmë që koha të jetë sa më e shpejtë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *