Leo Mesi nuk ka fituar kurrë me Argjentinën e tij, asnjë trofe. Ylli i futbollit botëror është tepër i karikuar për këtë turne dhe dëshiron të festojë me popullin e tij. E ku ka më bukur se ta bëjë diçka të tillë në tokën e “armiqve” të përjetshëm?
31-vjeçari ka fituar gjithçka në rang klubi me Barcelonën dhe në aspektin personal. Një triumf me Argjentinën është pengu i vetëm dhe nuk dëshiron të mbyllë karrierën pa e bërë diçka të tillë.
Në një prononcim për “Fox Sports” nga grumbullimi me kombëtaren, Mesi ka folur për Kupën e Amerikës dhe tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur. Nuk mungon as komenti dhe as elozhet për Kristiano Ronaldon, i cili vendosi të linte Realin për t‘u transferuar te Juventusi verën e kaluar.
“Dua të tërhiqem kur të kem fituar diçka me kombëtaren.. Do vazhdoj të luftoj për të dorëzuar këtë ëndërr. Ronaldo? Kur u largua thashë që do të dëmtohej Reali dhe në Madrid u zemëruan. Do i ndodhte çdo skuadre diçka e tillë. Një lojtar si ai, i cili shënon 50 gola në sezon, i mungon La Ligës. Lojtarët e mëdhenj e kthejnë një kampionat në më të mirin. Tentonim çdo vit të triumfonim dhe kjo gja na ka përmirësuar shumë”, përfundon Leo Mesi.