Kristal Abazaj spikati në Gjirokastër me fanellën e Luftëtarit, por u shit pasi e panë të bënte mirë me Shqipërinë U21. E themi këtë për të kuptuar se çfarë trampoline janë për të rinjtë, sidomos për ata që luajnë ne vendin tonë, kombëtaret e moshave. Së fundmi, Nevil Dede dhe Alban Bushi, trajnerë të Shqipërisë U19 dhe U21, kanë zgjedhur t’i hedhin sytë nga Superiorja dhe kjo është përshëndetur edhe nga drejtoi sportiv i Luftëtarit, Gentian Nora.
Në një intervistë për “SportEkspres.com” ai thekson se të rinjtë janë rruga e suksesit dhe grumbullimi i lojtarëve nga Superiorja është shtysë e madhe dhe një mundësi për të pasuruar klubet tona. Nora e shikon si një “karburant” thirrjen në kombëtare, por ka edhe një mesazh për të gjithë ata lojtarë që duan të ecin në karrierë. Ai flet edhe për mundësinë e ndryshimit të rregulloreve, sipas të cilave të detyrohet aktivizimi i elementëve të rinj në Kupë e kampionat.
INTERVISTOI: VLADIMIR PRENGA
Gentian, bëni pjesë tek ata persona që ju pëlqen t’ia jepni një dorë lojtarëve të rinj. Është parë kjo te Luftëtari. Si e shikoni faktin që në kombëtaret e moshave janë disa lojtarët e grumbulluar që luajnë në kampionatin tonë?
– Mendimi im është se guximi me lojtarët e rinj është rruga më e shkurtër drejt suksesit të klubeve. Përveçse më pëlqeu, e vlerësoj shumë këtë veprim dhe më duket diçka inteligjente. Lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme të Europës nuk kanë nevojë për shumë promovim, ata e kanë shumë të mundur të zënë vend në kombëtaren A. Për lojtarët tanë kjo është një vitrinë dhe shtysë e madhe. Përveç anës logjike, edhe nga ana teknike mendoj që U21 me këtë trajner vitet e kaluara tregoi se me këtë mënyrë mund të kishte sukses dhe në rezultate.
Sa ndikon kjo politikë që po ndihet te klubet tona dhe sa i motivon të rinjtë këtu që të punojnë për të zënë një vend në kombëtaret e moshave?
– Ndikon tej mase dhe i bën klubet produktive. Të kemi parasysh: nëse një lojtar është i aftë të luajë 8 ose 10 ndeshje me U21, për klubet do të thotë të ardhura. Në vendet e Ballkanit ndjenjat kombëtare janë më të theksuara se në vende të tjera. Prandaj, mundësia dhe ëndrra që një ditë mund të veshësh bluzën kuqezi kthehet në karburant dhe energji për të rinjtë. Ata punojnë më shumë dhe rritet kështu edhe cilësia.
Duke qenë se shikoni shpesh për të rinj për Luftëtarin, a ka potencial që mund të gjendet në futbollin e moshave për klubet e elitës?
-Në shkurt kemi bërë disa grumbullime me rreth 60 lojtarë nga ekipe të ndryshme dhe kategori të ndryshme. Flasim për lojtarë nën 20 vjeç. Mendoj se nga këta, të paktën 4 lojtarë janë të aftë të aktivizohen në këtë kategori. Madje jo vetëm të aktivizohen, pasi nëse sakrifikojnë do të shkëlqenin në fushë. Talentin e kanë, ju duhet vetëm punë.
Pamë që nuk kishte asnjë lojtarë nga klubi gjirokastrit, ndiheni keq ndopak? Keni elementë në ekip që meritojnë të vëzhgohen me kujdes?
-Do ketë dhe nga Luftëtari. Ju e dini, që kur vijnë nga ky klub, lojtarët shkëlqejnë. Ka dhe lojtarë nga skuadra jonë, por janë në listat e kombëtares U19. Në skuadrën e parë kemi disa lojtarë poshtë 20 vjeç, të cilët janë paraqitur shumë mirë në ndeshjet e Kategorisë Superiore. Këta lojtarë duhet të tregohen më vigjilent, ta kapin rastin që do t’u vijë dhe ta shfrytëzojnë atë në mënyrën e duhur që të ekspozohen.
Po në lidhje me aktivizimin e të rinjve në Superiore, çfarë mendoni? Është shtuar numri i atyre që luajnë, por a mund të bëhet edhe më mirë në këtë drejtim?
-Përfitoj nga rasti t’i këshilloj këta të rinj: më pak xhel, më pak tatuazhe, më pak Instagram. Dhe më shumë punë, më shumë sakrificë. Superiorja do personalitet, nuk mjafton fusha dhe talenti. Do forcë karakteri, disa do të dorëzohen. Ata që nuk e bëjnë këtë, meritojnë më shumë. E them këtë për t’i dhënë përgjigje pyetjes. Ka mjaftueshëm të rinj, por duhet të luftojnë më shumë.
A mos ndoshta FSHF duhet të vendosë edhe ndonjë shpërblim për klubet që çojnë lojtarë në kombëtaret e moshave? Do ishte një nxitje ekstra kjo për të punuar me elementët e rinj?
-Më duket e panevojshme. Kombëtarja jonë ka karakteristikat e saj. Po të shikojmë, jemi nga të paktat kombëtare që s’kemi lojtarë të natyralizuar. Kjo për shkak se lidhja me fanellën te ne perceptohet ndryshe.
Vetë ju, keni ndonjë propozim që klubet të “detyrohen” në njëfarë mënyrë të mbështesin të rinjtë? Mos ndoshta ka ardhur koha që në Kategorinë e Parë, me rregullore të përcaktohet një numër i caktuar të rinjsh që të luajnë titullarë me detyrim?
– Mendoj se mund të caktojë me detyrim që çdo skuadër të ketë në përbërje dy lojtarë poshtë 19 vjeç, nga 25 futbollistët që federohen. Gara e kampionatit është e ashpër, por mendoj që jo vetëm në Kategorinë e Pare të ketë përcaktime për aktivizimin e të rinj. Të gjitha skuadrat që marrin pjesë në Kupë, të detyrohen që në ndeshjet e këtij kompeticioni të aktivizojnë të paktën dy lojtare nën 20 vjeç deri në çerekfinale. Më pas një të tillë me detyrim. Futbolli jone është i etur për reformë në këtë aspekt dhe do ta thithte në mënyrë shumë natyrale këtë dhe shume ide të tjera që aktorët e sportit mund të kenë.