Niko Shulc është padyshim njeriu i momentit në Gjermani. Mbrojtësi ishte autor i golit të fitores në përballjen ndaj Holandës, ku shënoi në minutën e 90-të pas pasimit të Marko Rojs. Përveç golit, 25-vjeçari kishte dhuruar dhe një asist në pjesën e parë për Leroj Sane.
Tashmë, Shulc është në qendër të vëmendjes dhe mediat kanë nisur të gërmojnë për të. Në Itali, kanë publikuar së fundmi një intervistë të bërë pak kohë më parë për “t-online.de”, ku Shulc ishte shprehur se ëndrra e tij ishte që një ditë të luante për Interin.
“Dëshira ime është të luaj për një klub të madh evropian. Janë disa klube të jashtëzakonshme që luajnë në Champions çdo vit. Do të ishte një ëndërr për mua të luaja për Interin, pasi gjithmonë ka qenë ekipi që kam ëndërruar. Jam shumë i qetë, veçanërisht sepse luaj me një klub si Hofenhajmi, ku ndihem shumë mirë. Edhe në rast se nuk do të lëviz nga këtu, do të isha shumë i lumtur”, përfundoi Shulc.
Ndoshta, këto fjalë të thëna nga mbrojtësi, mund të bëjnë drejtuesit zikaltër, që ta përfshijnë në listën e objektivave të merkatos 25-vjeçarin gjerman.