Paraqitjet e mira të Xhengiz Ynder me skuadrën e Romës gjatë sezonit të kaluar, kanë bërë që shumë klube të Serie A të hedhin sytë nga kampionati turk për të “rrëmbyer” talentin e radhës. Emri i ri që po lakohet për një kalim në Itali është ai i fantazistit të Tranbzonsporit, Jusuf Jazëçë.
Gjatë sezonit të kaluar 21-vjeçari shënoi 10 gola në 33 aktivizime me klubin turk. Ecuria e mirë e talentit turk ka sjellë interesin e shumë skuadrave në Serie A, por edhe në kampionatin francez. Sipas raportimeve më të fundit nga mediet turke, Fiorentina është skuadra më afër blerjes së kartonit të lojtarit.
Klubi nga Firence po negocion me drejtuesit e Trabzonsporit, që duan të paktën 20 milionë euro për të lënë të lirën “xhevahirin” e dalë nga akademia e tyre. Ky interes i madh i klubit “Viola” për lojtarin mund të merret dhe si një shenjë që i paraprin shitjes se Federiko Kiezës në të ardhmen e afërt.