Milani prej kohësh është një kantier ndërtimi, me kuqezinjtë që bëjnë shumë ndryshime vit pas viti. Edhe këtë sezon duket se do të ndodhë e njëjta gjë, teksa pritet një revolucion i vërtetë, sidomos në mesin e fushës.
Sipas asaj që shkruan edhe “Tutto Sport”, janë pesë lojtarë të cilët janë me një këmbë të larguar. Timue Bakajoko është emri i parë, me francezin që pas çështjes së fundit, ku u vonua në stërvitje, është kthyer në një të “padëshiruar”.
Drejtuesit nga Milano mendojnë se 35 milionë eurot që kërkon Çelsi janë shumë tashmë dhe sipas gjasave mesfushori do të kthehet në Angli. Emri i dytë është Xhakomo Bonaventura, i cili vuan një dëmtim të rëndë dhe mendohet të kthehet për sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, kontrata e mesfushorit skadon në fundin e sezonit të ardhshëm dhe drejtuesit kuqezinj nuk duan të nxitohen për sa i përket një rinovimi, pasi ndoshta “Xhek” nuk është më i njëjti pas dëmtimit.
Për të kaluar te treshja që ndoshta ngroh stolin më shumë se kushdo tjetër. Rikardo Montolivo, Andrea Bertolaçi dhe Hoze Mauri. Që të tre lojtarët do të largohen në fund të këtij sezoni, me largimet në mesin e fushës që shkojnë në numrin pesë.
Për momentin të vetmit lojtarë që duken të paprekshëm në mesfushë janë Frenk Kesi dhe Lukas Bilja, i cili pritet të rinovojë kontratën, pasi i skadon fundin e sezonit të ardhshëm.