Liverpuli dhe Totenhemi do të përballen mes tyre në “Wanda Metropolitana” të Madridit me datë 1 qershor. Finalja e madhe e Champions Ligës për këtë sezon do të jetë e gjitha angleze.
Hera e dytë që ndodh diçka e tillë, pas asaj mes Çelsit dhe Mançester Junajtid. Ishte 21 maji i vitit 2008 dhe trofeu ngrihej lart në qiellin moskovit nga “Djajtë e Kuq” të Aleks Ferguson.
Liverpuli do të kërkojë të fitojë trofeun më të rëndësishëm për klube për herë të gjashtë në histori, ndërsa Spurs po shkruajnë historinë. Hera e parë për ta në finale dhe djemtë e Poçetinos do luftojnë fort për t’i dhuruar tifozëve të tyre një mbrëmje të paharrueshme.
Përveç tifozëve të The Reds dhe Totenhemit, finalja e madhe do të shihet me emocione edhe nga ata të Sauthemptonit. Mauricio Poçetino drejtoi një sezon “Shenjtorët” përpara se të merrte drejtimin e Totenhemit.
Trajneri nuk është i vetmi, pasi me Sauthemptonin kanë luajtur Tobi Alderveireld, Viktor Uaniama dhe Paulo Gazinaga. Lojtarë që kanë një të kaluar te ky ekip ka edhe Liverpuli, madje plot 5 të tillë: Virxhil Van Dijk, Sadio Mane, Adam Lalana, Dejan Lovren dhe Aleks Oksleid Çambërlejn.