Dy ndeshje pa tifozë, ky ishte dënimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës për klubin Partizani pas ndeshjes me Skënderbeun. Klubi i kuq ka reaguar dhe në këtë mënyrë ka rinisur “betejën” me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Mesazhi “1 grek më pak, 1 bastard më pak” mori vëmendjen kryesore të medias dhe institucioneve, por duhet thënë se pati shumë sende të hedhura në fushë gjatë ndeshjes me korçarët. Ndoshta edhe pa atë banderolë mund të ishte marrë i njëjti dënim, por vëmendja ka kaluar pikërisht tek ai mesazh racist që ka ngajjlur debate të shumta.
“KF “Partizani”,për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sendeve të forta brenda rrethimit të fushës se lojës dhe për paraqitje të parullave fyese dhe raciste, në bazë të nenit 66/3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve pa spektatorë në fushën përkatëse”, thuhej në vendimin e Disiplinës, ndërkohë që Partizani proteston dhe ia vë fajin federatës, që licencon stadiumin “Selman Stërmasi” pa plotësuar kushtet, mes tyre pajisjen me kamera. Më poshtë reagimi i plotë i klubit kryeqytetas.
QËNDRIMI I KLUBIT TË KUQ – “FK Partizani, pasi është njohur me vendimin e Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, i cili e ka dënuar klubin tonë me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë, kërkon të informojë mbarë opinionin publik shqiptar dhe më gjerë, se kjo është një maskaradë me shumë ngjyrime të shëmtuara.
Klubi i Partizanit, jo vetëm që reagoi menjëherë në stadium për të larguar një paçavure shkruar keq nga disa rrugaçë që nuk kanë lidhje me tifozerinë tonë, por ishte i pari që u distancua publikisht nga kjo rreckë, e cila çuditërisht u bë shumë e famshme ditët që pasuan, dhe kjo jo vetëm në opinionin sportiv.
Klubi i Partizanit nuk ka bërë rolin e sehirxhiut, por shumë shpejt do të zbulojë dhe identifikojë autoret e vërtetë të këtij akti që nuk ka lidhje me sjelljen tonë, si për rivalët sportivë, ashtu edhe për fqinjët tanë politike dhe gjeografike.
Ky është klubi që ka bërë bashkë çdo lojtar, pa bërë dallim prejardhjen dhe origjinën e tyre që prej minoritarëve grekë, që kanë shkruar historinë e lavdishme të këtij klubi, e deri tek sezonet e fundit, ku shqiptarët e Kosovës, apo Maqedonisë e ndanin dhomën me lojtarët që vinin nga Serbia. E pra, klubi Partizani nuk mund te dënohet kurrë për racizëm…
Zotërinj të nderuar të Komisionit të Disiplinës, që jeni mbledhur me urgjencë për të dhënë kartonin e kuq e paralajmëruar, po bëni një gabim të madh që shpallni fajtor klubin Partizani për të ushqyer një politikë të mbrapshtë dhe dashakeqe që nuk ka asnjë lidhje me sportin dhe misionin e tij, për të bashkuar dhe kurrë për të ndarë. Po ndërmerrni një dënim kolektiv për një vepër të disa personave që më së paku nuk kanë lidhje me klubin dhe tifozerinë tonë, për të mos aluduar për skenarë të tjerë dashakeq…
Pranojmë absolutisht çdo penalizim dhe dënim që vjen konform rregullores së kësaj loje dhe kodit të disiplinës sportive, për objekte të hedhura dhe të pahedhura, por kurrë nuk pranojmë të dënohemi kolektivisht për racizëm, ndërkohë që po luajmë në një stadium pa kamera sigurie, por të licencuar verbërisht nga institucioni që merret me mbarëvajtjen e kësaj loje. Ky nuk duhet të ishte një vendim për të kaluar radhën nga Komisioni i (pa)varur që i paska “alergji” tifozët në stadiumet shqiptare, duke penalizuar “zellshëm” kolektivisht një klub dhe një tifozeri të tërë. Përkundrazi, duhet te ishte një moment reflektimi që ngjarje të këtij lloji, vepra individësh të papërgjegjshëm të marrin dënimin e merituar, madje jo vetëm sportiv, por edhe penal.
E theksojmë se nuk mund të pranojmë të marrim përgjegjësi për veprimin e një apo dy individëve të papërgjegjshëm që kurrsesi nuk përfaqësojnë Partizanin. Si mundet të ngarkohemi me përgjegjësi e për më tepër të dënohet një tifozeri e tërë kur kriteret e sigurisë në këtë impiant sportiv as nuk plotësohen e as nuk kontrollohen.
Si mundet të ngarkohemi me përgjegjësi për mungesë organizimi në një stadium të licencuar pa kontroll nga FSHF-ja, ku fort mirë dihet se nuk ka sistem kamerash sipas standardeve për identifikimin dhe skedimin e personave që s’kanë lidhje me tifozerinë dhe vijnë në stadium vetëm për të shkaktuar probleme?!
Duke e përgëzuar FSHF-në, për mbajtjen e një linje me klubin tonë rreth distancimit ndaj incidentit të banerit, ju bëjmë me dije se ky institucion është po aq përgjegjës, deri sa lejon dhe licencon stadiume të tilla, të cilat mesa duket do mbeten bosh”, shkruhet në komunikatën e Partizanit.