Majkëll Ngo është një çështje te Tirana. Sulmuesi i bardhebluve javën e shkuar pati një debat me trajnerin Ardian Mema, ndërkohë që klubi e gjobiti me 500 euro. Kjo gjobë edhe është depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Sjellja e sulmuesit gjatë këtyre kohëve nuk ka qenë më e mirë dhe nëse vijon kështu rrezikon të përjashtohet. Te Tirana nuk mund të tolerojnë dot dhe presin reagimin e sulmuesit anglez. Ngo dhe Muçi janë të vetmit qendërsulmues te kryeqytetasit për momentin.
Por ka edhe lajme të mira. Nga nesër me grupin pritet të bashkohet Dejan Blazhevksi, sulmuesi maqedonas që ndaj Flamurtarit mungoi për shkak dëmtimi. Për disa ditë ai shkoi në Maqedoni për të kryer terapi.
Dëmtimi duket se ka kaluar dhe në ndeshjen e radhës me Kamzën me shumë mundësi do ta nisë nga minuta e parë. Gjithsesi do të jetë trajneri Mema ai që do të vendosë në lidhje me formacionin, çka do të mund të zbulohet dhe në seancat stërvitore në vijim.