Nga goli ndaj Partizanit, te ndryshimi i Luftëtarit me Kukësin: Rrëfehet Maldin Ymeraj

Ishte radha e Maldin Ymerajt për të udhëtuar mes mbrojtjes së Partizanit. Mesfushori me tipare sulmuese shmangu humbjen e Luftëtarit, ndërkohë që këtë sezon ai po luan rregullisht. Debutimin në Superiore e ka bërë me Kukësin në një ndeshje kundër Laçit, por me verilindorët luajti vetëm gjashtë takime dhe më pas me mbylljen e kampionatit me marrëveshje zgjidhi kontratën.

Te Luftëtari nuk ka luajtur vetëm një takim deri më tani, ndërkohë që tregon në një intervistë për “SportEkspres.com” ambientin që ka gjetur në Gjirokastër, ndryshimin e bluzinjve me Kukësin, por edhe objektivat e tij personalë. Nuk mbeten jashtë bisedës me të edhe puna me trajnerin Millosh Kostiç dhe Gentian Mezanin, apo edhe goli i fundit ndaj Partizanit.

INTERVISTOI: JURGEN ZELA

Maldin po luani rregullisht dhe duket se keni rilindur në Gjirokastër, nëse mund të thuhet kështu…
-Unë kërkoja hapësira te Kukësi. Atje nuk më njihnin dhe nuk mora minutat që desha, që ishin të nevojshme për të treguar cilësitë që kam. Te Luftëtari ambienti ishte vjet edhe si vjet. Është një ambient mirëpritës, që krijohet edhe nga lojtarët, edhe nga presidenca. Pastaj këtu më besuan, më dhanë mundësinë dhe po tregoj gjëra në fushë. Besoj që kam akoma për të dhënë. Është vetëm viti im i parë në Superiore.

Ishte ai gol me Partizanin dhurata më e bukur që i bëre vetes?
-Po, ishte. Po e kërkoja golin. Në këto 3 ndeshje isha shumë afër dhe u realizua me Partizanin.

Nga Kukësi te Luftëtari, çfarë ndryshon nga këto dy ekipe?
-Luftëtari është ekip që formon lojtarë dhe ka qëllim të krijojë një ekip që të jenë si familje me njërin-tjetrin, por edhe të jenë gjithmonë të gëzuar lojtarët. Edhe siç e kemi parë, skuadrat shqiptare po blejnë lojtarë nga Gjirokastra. Qëllimi i Kukësit është ndryshe.

Mund të jenë penduar te Kukësi që ju larguan, pasi po tregoni një formë mjaft të mirë?
-Nga Kukësi kërkova vetë të iki, thjesht nuk ndihesha mirë edhe nuk jepja dot maksimumin. Tani kam marrë ndeshje me radhë edhe forma po vjen vetë gradualisht.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen, mund të kemi ndonjë lëvizje në merkaton e janarit?
-Qëllimi është të mbaroj vitin pa dëmtime dhe të jem në formë sa më  të mirë. Pastaj  për të tjerat nuk i dihet. Në futboll brenda ditës ndryshojnë shumë gjëra.

Si e shikoni luftën për mbijetesë?
-Skuadra kishte disa probleme dhe ato kanë ndikuar te rezultatet. Por çunat kanë treguar të gjithë që kanë cilësi dhe mund të fitojmë ndaj çdo skuadër. As që e mendoj mbijetesën, kam besim se do ta mbarojmë lart me pikë.

Nga Kostiç te Mezani, çfarë ka ndryshuar në skuadër? Më parë ju luanit më shumë.
-Kostiç kishte ide te nivelit të lart në futboll, po këtu në Shqipëri nuk perceptoheshin dot. Mezani që ditën e parë na kuptonte dhe na afroi më shumë. Mundësitë që marr po mundohem t’i shfrytëzoj të gjitha, pastaj janë taktikat e trajnerëve

Ke një dedikim për golin?
-Goli ia dedikoj familjes time, pasi kishin ardhur për herë të parë sivjet në stadium. Kjo duke qenë se ata jetojnë në Athinë

Mund të na e zbulosh pak momentin e golit, kalove disa kundërshtarë dhe realizove…
-Kisha në mendje të isha afër Shkurtajt, pastaj pas një dyluftimi të tij e mora topin dhe vajta vetëm drejt portës e shënova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online