Legjenda e Mançester Junajtid dhe analisti i “Sky Sport”, Geri Nevill, nuk është përmbajtur aspak pas ndeshjes së humbur 4-0 kundër Evertonit, ku ka kritikuar ashpër të gjithë lojtarët e “Djajve të Kuq”. Në një lidhje direkte nga stadiumi pas ndeshjes, Nevill tha:
“Jam gati të shpërthej dhe temperaturat e larta nuk po më ndihmojnë” tha Nevill për Sky Sports. “Unë nuk gënjehem nga këta lojtarë që ishin gjithmonë fantastikë kur filluan të fitojnë për Solskjaer në ato dy, tre muaj. Nëse mendoni për lojën që kemi bërë kundër Liverpulit disa javë më parë ku gjithçka ishte e përsosur, Ole kishte bërë që lojtarët të luajnë përsëri me dëshirë.
“Tani po shohim se çfarë po ndodh, është për të ardhur turp. Jo vetëm sot kundër Evertonit, por dhe në “Camp Nou” kundër Barcelonës. Në vend që të vrapojnë dhe të kthehen shpejt në mbrojtje, ata bëjnë sikur vrapojnë. Të gjithë plehra! Unë mendoj se ajo që ne po shohim tani është ajo që janë lojtarët në të vërtetë.
“E diela e ardhshme është koha për të reflektuar, sepse Mançester Junajtid do të kuptojë nëse do të arrijnë në Ligën e Kampionëve këtë sezon apo jo. Nëse lojtarët nuk ndryshojnë sjellje dhe të vrapojnë, minimalisht të vrapojnë për këtë fanellë legjendare, nuk mendoj se do të jenë këtu për shumë kohë”, përfundoi legjenda e Mançester Junajtid.