Parisi nuk arriti të fitojë kupën e Frances, as me Nejmarin në fushë. Rëne i shtangu kampionët, duke i barazuar pas disavantazhit 2-0. 27-vjeçari dha asistin për golin e parë dhe shënoi të dytin, e gjithë kjo në 20 minutat e para. Por kaq nuk mjaftonte për të hedhur në tokë Rënen.
Një autogol i Kimpembe në fundin e pjesës së parë dhe goli i Edson Mekser në minutën e 66-të barazpeshuan ndeshjen, që shkoi në shtesë. As 30 minutat ekstra nuk sollën gola dhe tek pika e bardhë e penalltive ishtë Rëne që arriti të triumfonte me rezultatin 6-5.
Nejmar teksa pa t’i ikte nga duart një trofe, në prononcimin pas ndeshjes, pakënaqësinë e tij ia faturoi të rinjve të skuadrës. Ai u shpreh se ata duhet të dëgjojnë më shumë se të flasin. Nejmar tha se duhet të sillen më shumë si burra. Nëse nuk ndodh kështu, Parisi nuk rritet dot.
“Duhet të jemi më shumë burra në dhomën e zhveshjes. Të jemi të bashkuar. Shoh të rinj, që flasim më shumë se dëgjojnë. Kanë më të madhe gojën se veshët. Ndonjëherë një djalë më me përvojë flet dhe ata përgjigjen mbrapa. Trajneri flet dhe ata i kthehen. Nuk është kjo mënyra sesi një ekip ngjitet lart. Ne kemi më shumë eksperiencë, kështu që duhet të respektojnë dhe dëgjojnë”, përfundoi Nejmar Zhunior.