Në Spanjë janë të sigurt: Alegri largohet në verë, Juventus ka një dëshirë

Maks Alegri po zhvillon sezonin e pestë në drejtimin e Juventusit, ndërsa bardhezinjtë kanë objektiva të mëdha. Synimi i klubit torinez është fitimi i Champions Ligës dhe ardhja e Kristiano Ronaldos ka rritur shpresat e tifozëve juventinë për rikthimin e kupës me veshë të mëdhenj në Torino pas 23 vitesh.

Megjithatë, lajmet që vijnë nga Spanja flasin për sezonin e fundit të Alegrit në stolin e Juventusit. ”El Mundo Deportivo” raporton se drejtuesit bardhezinj e cilësojnë si të ezauruar eksperiencën e italianit në stol, ndërsa ëndrra e tyre e madhe mbetet Zinedin Zidan.

Francezi shkroi historinë me Realin e Madridit, duke fituar tre Champions radhazi. Ai ndodhet pushim për momentin, ndërsa nuk do e refuzonte një ofertë të ish-ekipit të tij. Zidan u aktivizua për pesë sezone me Juventusin, përpara se të largohej drejt Realit. Ai mund të kthehet në Torino në fund të sezonit, madje pro kësaj ideje është dhe Kristiano Ronaldo, i cili është i lidhur me trajnerin francez dhe do të ishte i lumtur të punonte përsëri me të.

Po Alegri? Ai do të tentojë të rikthejë Champions-in në Torino këtë sezon, ndërsa e ardhmja e tij është e ndarë midis Realit të Madridit dhe Premier Ligës, por për më shumë duhet të presim verën dhe fundin e këtij sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *