Një natë më parë është zhvilluar finalja e fazës “Play-off” në Serie B, nga ku do të përcaktohet edhe ekipi i fundit që do të plotësojë 20-shen e Serie A për sezonin e ardhshëm. Pas ngjitjes së Breshias dhe Leçes, një mes Citadelës dhe Veronës pritet të kalojë në elitën e futbollit italian.
Takimi i parë final është mbyllur me fitoren e pastër të vendasve të Citadelës, të cilët triumfuan me shifrat 2-0 dhe janë vetëm një hap larg historisë. Për herë të parë në historinë 46-vjeçare të klubit, Citadela ka mundësinë të ngjitet në Serie A.
E bukura në gjithë këtë histori qëndron në faktin se klubi i presidentit Anxhelo Gabrieli, nuk ka stadium për të luajtur në Serie A. Po, e lexuat mirë! Në vitin 2019, në futbollin italian ndodhin probleme të tilla.
Kjo për arsyen se stadiumi i Citadelës, “Stadio Pier Cesare Tombolato” nuk është i licensuar nga federata italiane për të pritur ndeshjet e Serie A. Një problem ky, i lënë pas dore edhe nga klubi, pasi zor se mund të mendohej ngjitja historike në elitë.
Tashmë, janë vetëm 90 minuta larg mrekullisë dhe drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë zgjidhjen e këtij problemi. Zgjidhja më e mirë dhe më e thjeshtë është që të luajnë në stadiumin e Padovës, që ndodhet shumë pranë stadiumit të tyre.
Gjithsesi, më parë duhet të luajnë finalen e kthimit, ku vlen për t’u përmendur që një fitore 2-0 e Veronës nuk e çon ndeshjen në shtesë, por kualifikon veronezët, të cilët janë renditur më mirë se Citadela në kampionat.