Zllatan Ibrahimoviç marsin e këtij viti zgjodhi Amerikën e largët për të vazhduar karrierën e tij, pasi firmosi me Los Anxhelos Galaksi. Suedezi numëron plot 22 gola në 27 ndeshje të luajtura. Pavarësisht paraqitjeve të mira të tij, ekipi i Los Anxhelos nuk arriti të kualifikohej në zonën “play-off”, ku u mund në javën e fundit dhe e humbi këtë mundësi.
Kampionati i rregullt është mbyllur në Amerikë tashmë dhe Ibrahimoviç i rikthehet përsëri çështjes Milan. Kohët e fundit në media është folur shumë se 37-vjeçari mund të rikthehet në Europë përsëri dhe mund të veshë fanellën e Milanit. Sipas asaj që raportojnë në mediat italiane, transferimi i Ibrës në Milano është thuajse i sigurt.
Sulmuesi do të firmosë një kontratë 6-mujore për kuqezinjtë, pra deri në fundin e këtij sezoni. Gjithsesi, “tuttosport” shkon më tej dhe shton që Ibrahimoviç mund të kërkojë një kontratë 18-mujore, që do ta mbante në Itali dhe për vitin e ardhshëm. Nga kjo marrëveshje thuhet se suedezi do të përfitojë 1.5 milionë euro në sezon nga Milani, por do të ketë dhe përfitime të tjera nga sponsorat.