Zhoze Murinjo dëshiron rikthimin në Serie A. Portugezi drejtoi në mënyrë të suksesshme Interin për dy sezone, aty ku fitoi dhe tripletën e famshme në vitin 2010.
Interi dhe Roma janë dy klubet e interesuara nga kampionati italian për 56-vjeçarin. Në garë për shërbimet e tij janë edhe Bajerni i Mynihut me Lionin, por trajneri mund të transferohet në Itali.
“Telefoot” raporton se dëshira e Murinjos është rikthimi në futbollin italian dhe se ai ka nisur kontaktet me këto dy klube. Ai është zgjedhja e parë e Interit për zëvendësimin e Spaletit në fund të sezonit, edhe pse Marota preferon Antonio Konten.
Nga ana tjetër është Roma. Xhejms Palota, presidenti i klubit verdhekuq”, është gati që të nisë një projekt ambicioz dhe dëshiron ish-trajnerin e Mançester Junajtid në krye të stolit. Gjithsesi, ekipi kryeqytetas duhet të sigurojë kualifikimin në Champions në fillim dhe pastaj mund të arrijë akordin me trajnerin nga Setubali.