Braziliani Roxher ishte padiksutim lojtari që spikati më shumë në ndeshjen mes Kastriotit dhe Kukësit. Për të gjithë ata që se dinë kartoni i 22-vjeçarit është nën pronësi të Kukësit, por mungesa e hapësirës tek verilindorët i shtynë drejtuesit që ta huazonin tek krutanët. Vetëm 6 ndeshje me skuadrën e Kastriotit dhe dy gola, por në sfidën e sotme si një profesionist i vërtetë bëri gjithçka për të marrë pikët ndaj asaj skuadre që në verën e ardhshme do të jetë skuadra e tij.
Roxher jo vetëm që shënoi një gol, por fitoi një 11-metërsh të cilin po vetë e shpërdoroi, por dhe goditi shtyllën pak minuta më vonë. I pafat, pasi mund të kishte ndryshuar fatin e takimit, kjo pasi penalltinë e humbi kur rezultati ishte 1-0 në favor të Kastriotit, ndërsa shtyllën e goditi kur rezultati ishte 1-1. Pas shtyllës erdhi dhe zëvendësimi që 22-vjeçarit nuk i pëlqeu, megjithatë doli nga fusha me kokën poshtë. Në një farë mënyre nga “engjëlli” që po i jepte fitoren u kthye në “djalli” që nuk i dha suksesin e shumë munguar.
Kukësit mund t’i ketë mjaftuar kjo ndeshje për t’u bindur për aftësitë e tij, edhe pse në fillim kur u afrua tek kuksianët ishte jashtë forme. Pas ndeshjes, lojtari më i spikatur në fushë për krutanët foli për mediat duke veçuar se e gëzon fakti që u paraqit mirë, por e mërzit shumë mungesa e rezultatit: “Për fat të keq na mungoi fitorja, edhe pse ishim më mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes. Duhet të shohim, të analizojmë gabimet dhe të gjejmë zgjidhje. Humba një penallti, por pata kënaqësinë e golit të shënuar. Jam i mërzitur për humbjen, sepse jemi në një situatë delikate dhe nuk mund të lëshojmë pikë në shtëpi. Megjithatë, duhet të punojmë dhe të përmirësohemi. Mendoj se mund të jepja më shumë në këtë ndeshje, por ishte vendimi i trajnerit dhe më duhet ta respektoj”.