Napoli është një ndër të vetmet ekipe në Serie A, që e ka ruajtur më së shumti kontingjentin e lojtarëve gjatë viteve. Marko Rog është një ndër lojtarët, i cili afrua me bujë të madhe dhe premtonte shumë, por kroati nuk ka arritur të gjejë hapësirat e duhura dhe largimi i tij duket i paevitueshëm.
Këtë fakt e konfirmoi dhe Karlo Ançeloti disa ditë më parë, ku deklaroi se mesfushori është një ndër lojtarët që pritet të dërgohet në huazim gjatë pjesës së dytë të sezonit. Për 23-vjeçarin, interesi është i madh, por me sa duket destinacioni i tij i ardhshëm është vendosur.
Rog do të udhëtojë drejt Spanjës, ku pritet të bashkohet me ekipin e Sevijas në formulën e huazimit. Andaluzianët kanë fituar garën me Shalke 04, si dhe me Ajntrahtin e Frankfurtit dhe Fiorentinën. Marko Rog u ble nga Napoli për plot 15 milionë euro, të cilat kaluan në arkat e Dinamos së Zagrebit.