Pol Pogba vazhdon të jetë një çështje e nxehtë tek ekipi i Mançester Junajtid. E ardhmja e mesfushorit francez mendohet të jetë larg “Old Trafford” dhe media të ndryshme angleze dhe spanjolle e shohin shumë afër Barcelonës. Zhoze Murinjo ka folur përsëri për këtë temë dhe zbulon faktin që Pogba nuk i ka kërkuar të largohet.
“Për momentin po kërkojmë në errësirë për të ardhmen e tij. E vetmja gjë e sigurtë është që Pogba nuk më ka thënë kurrë, por kurrë, në gjithë këto ditë që kemi qenë së bashku, që dëshiron të largohet. Pol u kthye nga pushimet mbas Botërorit një javë para se të fillonte kampionati.
Që nga ajo periudhë, ai nuk më ka thënë asnjëherë që dëshiron të largohet. Mund të komentoj vetëm atë që më duket reale dhe jo çfarë lexoj, ose ndjej, sepse nuk kam asnjë raport me dikë, që shkruan dhe thotë gjëra të tilla. Unë kam një marrëdhënie direkte me lojtarin dhe ai nuk më ka folur për largim, kështu që mendoj që dëshiron të qëndrojë.
Raiola po punon për t’i gjetur ekipin e ri? Nuk e di nëse është e vërtetë. Nëse do të shoh Raiolën në televizor duke thënë që Pogba do të largohet, atëherë, unë do ta besoj”, përfundon trajneri portugez i Mançester Junajtid.