Partizani u eliminua nga kualifikueset e Europa League pas barazimit 1 – 1 në Moldavi ndaj Sherif Tiraspol. Goli i skuadrës moldave ishte tepër i dyshimtë, madje u desh që gjyqtari kryesor të dilte në kontradiktë me asistentin e tij, i cili sinjalizoi për një pozicion jashtë loje.
Në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në “RTSH”, trajneri i njohur Shkëlqim Muça u shpreh pro vendimit të gjyqtarit kroat, pasi sipas tij goli i Sherif nuk është në shkelje të rregullores.
GOLI I SHERIF – “Të mos flasim si tifozë. Rreshtimi i skuadrës në këtë rast është skandaloz. Qendra e mbrojtjes është krejtësisht bosh. Aty duhet të ketë të paktën 3 ose 4 lojtarë. S’duhet të kenë pishman fare, por duhet të nxjerrin mësime. Për mua është gol i rregullt. S’ka prekje me dorë, s’ka shtyrje. Numri 4 duhet të rrinte përpara lojtarit dhe jo mbrapa. Unë nuk shikoj gjë të parregullt në këtë gol. Për mendimin tim arbitri kryesor ka pyetur anësorin për arsyen e ngritjes së flamurit dhe më pas e ka pyetur nëse lojtari që shënoi golin ishte pozicion jashtë loje”.
PARAQITJE E EKIPEVE SHQIPTARE NË EUROPË – “Në këtë periudhë, që është shumë e rëndësishme, ekipet shqiptare gjenden të papërgatitura. Skuadrat e mira i marrin masat që në muajin janar e shkurt për këto ndeshje, pasi kemi të bëjmë me një kompeticion shumë të ndryshëm. Ka ndryshime të shumta dhe faza përgatitore të programuara në mënyrë jo të duhur. Ekipet e tjera zhvillojnë 6 ose 7 miqësore, ndërsa ne shumë më pak. Kjo është një problematikë shumë e vjetër e ekipeve shqiptare. Kështu ka qenë edhe kur trajnoja unë, asgjë s’ka ndryshuar”.
Te jemi realist goli ishte offside se ke lojtaret e sherifit qe jane perpara ne nje goditje standarde. Eshte ne rregull ky Muca.