Moxhi me trajner italian, Demi marrëveshje me Duron!

0

Situatë e çuditshme te klubi i kuq. Moxhi për “Sport Ekspres” deklaroi se do të vijë trajner i huaj, por ndërkohë mësohet se presidenti nuk ka ndërmend ta presë gjatë

Vladimir Prenga

Largimi i Sulejman Starovës, gjë që pritej prej kohësh, ka bërë që Partizani të fokusohet totalisht te puna për gjetjen e një trajneri të ri. Brenda javës pritet të mësohet kush do ta drejtojë të kuqtë dhe këtë gjë e paralajmëroi edhe drejtori Moxhi në një intervistë publikuar në Sport Ekspres dje. “Duke qenë se kemi një muaj e gjysmë kohë për të zgjedhur futbollistët, dua të shoh se cilat janë situatat dhe rrethanat më të mira. Sa i përket trajnerit, ai do të jetë italian”, u shpreh italiani, që do të kërkojë ta sjellë “timonierin” e ri nga gadishulli Apenin. Xhovani Kolela është një nga alternativat për të marrë stolin e kuq, por ka edhe emra të tjerë që Moxhi preferon të mos i zbulojë.

KLODIAN DURO – Trajnerët italianë nuk janë të lirë në aspektin financiar dhe ndoshta kjo është pengesë, por së fundmi ka edhe një tjetër skenar, sipas të cilit drejtimin e Partizanit e merr Klodian Duro. Për shumëkënd mund të duket çudi, por presidenti Demi mësohet se ka rënë dakord me trajnerin nga Elbasani dhe brenda një jave do të vendoset për kreun e pankinës. Gjithçka varet nga Moxhi, pasi italianit i është dhënë kohë një javë të vendosë për trajnerin, ndryshe Duro në fillim të muajit gusht do të bëhet gati të veshë tutat e trajnerit sërish. Ish-mesfushori i Partizanit, ka vetëm një eksperiencë si trajner, pasi ka qenë në drejtimin e skuadrës së Kukësit në gjysmën e dytë të sezonit 2015-2016, ku arriti të bëjë mjaft mirë në kampionat, pasi i renditi verilindorët në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, në një moment që diferenca me rivalët ishte e madhe në muajin janar. Gjithashtu ai fitoi në krye të kampionëve në fuqi trofeun e parë të rëndësishëm, pasi në finalen e Kupës së Shqipërisë Kukësi triumfoi me penallti ndaj Laçit.

MUNGESA E KOORDINIMIT – Duro është takuar me Demin, por tani ka edhe një “raund” tjetër dhe pritet që të ketë një tjetër takim. Në këtë takim do të jetë edhe Luçiano Moxhi dhe mbetet e parë se çfarë do të ndodhë. Duro e dëshiron një eksperiencë të tillë dhe në një klub si Partizani do kishte mundësinë të tregonte aftësitë e tij, pas kupës së fituar në Kukës. Nga ana tjetër, drejtori ka deklaruar se trajneri do të jetë italian, por gjërat duken se janë ndryshe. “Çelësat” i ka marrë Moxhi është thënë e stërthënë, por kjo mbetet për t’u vërtetuar, sepse diçka nuk shkon në këtë histori. Nëse drejtori i përgjithshëm ka marrë pushtetin te Partizani, atëherë pse Demi po bisedon dhe ka arritur marrëveshjen me Duron? Diçka anormale, që ndoshta tregon edhe për një krisje te Partizani, pasi ardhja e Moxhit ka bezdisur jo pak njerëz në klubin e kuq. Nëse konfirmohet Duro në drejtim, do të jetë edhe një sinjal i qartë se presidenti Demi nuk është fort i kënaqur me ecurinë e punëve te Partizani, ku premtime ta shumë, por deri tani kemi mbetur te premtimet.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.