Na ndero, Kukës!

Kampionët duhet të përmbysin rezultatin 1-0 për të sfiduar më pas Agollin. Për pará e lavdi dhe për të mbajtur lart koeficientin e Shqipërisë

Jurgen Zela

Vitet e fundit Kukësi na ka bërë krenarë në Kupat e Europës. Pas 4 vitesh sukses në Europa League, është momenti që kuksianët të luajnë në Champions, një ëndërr e realizuar për tifozët veriorë. Në orën 19:30, në “Elbasan Arena” do të kërkohet suksesi i madh, eliminimi i Sherifit të Tiraspolit. Fati rezervoi që debutimi në arenën e kampionëve të bëhej në tokën moldave, por kjo gjë i shton emocionet e ndeshjes së kthimit, që ka vlerë më të madhe, sepse kualifikimi vendoset në këtë 90-minutësh. Rezultati i ndeshjes së parë nuk i bën favoritë kuksianët, megjithatë besimi është i madh se mund të përmbyset humbja minimale. Nuk lejohen gabimet dhe duhet patjetër të shënohet një gol, për ta çuar gjithçka në ekuilibër dhe për të menduar më pas kualifikimin. Një detyrë e vështirë. Pas shumë problemesh jashtë fushe, është momenti që fjalën ta marrë futbolli i luajtur. Para takimit të parë lojtarët kaluan shumë peripeci, por nuk i reflektuan në fushë, diçka që duhet të ndodhë edhe sot.

Nuk është harruar ajo përmbysje e madhe në Podgoricë dy sezone më parë, ndaj në Kukës ëndërrojnë që “ethet” e asaj mbrëmjeje t’i përjetojnë edhe sot.
Kualifikimi do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, pasi vera europiane do të zgjaste edhe një muaj. Do të konsiderohej një fillim i suksesshëm i sezonit. Fitimet do ta kalonin shifrën e 1 milion eurove dhe mbi të gjitha do të ishte një derë e mbyllur për problemet, që e kanë shoqëruar si asnjëherë tjetër Kukësin. Një rrugë e vështirë, por çeku në rast suksesi është i madh, pasi benefitet në fund duken se e justifikojnë mundin.

Kukësi përfaqëson më të mirët e Shqipërisë në Europë dhe performanca e tij ka vlerë të jashtëzakonshme për të gjithë. Futbolli shqiptar ka shënuar progres vitet e fundit, ku së paku nga dy skuadra çdo vit kanë kaluar nga një tur. Nëse Skënderbeu e bëri detyrën, është radha e Kukësit të mbajë lart flamurin shqiptar.

Nuk është vetëm një çështje flamuri, pasi luhet për miliona dhe nga ky tur varet koeficienti i Shqipërisë. Nëse Kukësi eliminohet, do të kemi rënie jo të vogël, duke u kthyer vite pas.

Kukësi luan për vete dhe për të gjithë, ndaj duhet të bëjë atë që ka treguar se di ta bëjë mirë, të kalojë ture në Europë, të na bëjë krenarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online