Klaudio Pizarro është një nga sulmuesit që besoj të gjithë duhet ta njohin, ose të paktën një herë duhet ta kenë dëgjuar. Muajin e kaluar, konkretisht në 3 tetor, festoi 40-vjetorin e tij dhe për një sulmues 40 vite mbi super janë jashtëzakonisht shumë.
Për shumicën më saktë, sepse për Pizarron mosha me sa duket është vetëm një numër. Vitin e shkuar aktivizohej te Këlni dhe rënia e tyre nga kategoria, i bëri të gjithë të mendonin se Pizarro e mbylli me futbollin. Futbollisti peruan i befasoi të gjithë, ku në verë firmosi për rikthimin e tij te Verder Bremen. Pjesës dërrmuese të tifozëve iu duk diçka e pakuptimtë nga ana e klubit gjerman.
Gjithsesi, për të gjithë skeptikët duket se fusha e ka dhënë përgjigjen. Tre ndeshjet e fundit, thuajse 150 minuta në total dhe bilanci është 3 gola të shënuar. Mesatarja e peruanit është për t’u admiruar, shënon çdo 50 minuta, të paktën tre ndeshjet e fundit. Klaudio Pizarro, që dikur ka veshur dhe fanellën e Bajernit të Mynihut dhe Çelsit, vijon të mos ndalet.