Roma siguroi një fitore të rëndësishme përballë Portos në sfidën e parë të këtij raundi në Champions. Dygolëshi i talentit Zaniolo vendosi ndeshjen, ndërsa Porto gjeti golin e shpresës me anë të Adrian. Verdhekuqtë duan të shkojnë sa më larg në këtë kompeticion, aty ku sezonin e kaluar ishin një hap larg finales së madhe.
Drejtori sporti i klubit, Monçi ka përfunduar shpeshherë në kritikat e tifozërisë. Ai ka mbrojtur gjithmonë punën e trajnerit Di Françesko, me trajnerin që ka rrezikuar shpeshherë postin e tij për shkak të oscilacioneve në rezultate.
Spanjolli ka një kontratë deri në vitin 2020 me klubin kryeqytetas, por ai mund të largohet nga Roma në fund të sezonit. Siç raporton “The Mirror”, spanjolli është lodhur nga ambienti i vështirë i verdhekuqve dhe po mendon të nisë një eksperiencë të re.
Në Angli pëlqehet nga Arsenali dhe Mançester Junajtid. Unai Emeri ka punuar me të te Sevilja dhe po tenton ta bindë që të bashkohen përsëri së bashku tek Arsenali, ndërsa “Djajtë e Kuq” po mendojnë t’i ofrojnë rolin e drejtorit sportiv.
Nga ana tjetër është dhe PSG. Portugezi Antero nuk ka bindur me punën e tij dhe marrëdhëniet mes trajnerin Tuhel nuk janë të mira. Francezët e pëlqejnë Monçin dhe janë gati t’i ofrojnë një kontratë, me Romën që do ta zëvendësonte atë me Masimiliano Mirabelin, ish-drejtuesin e Milanit.