Skënderbeu dhe Kukësi në këto 4 vite kanë arkëtuar më se 12 milionë euro nga kupat e Europës. Zihen gjithë vitin, fitojnë para gjatë verës
Gjergj Stefa
Një pjesë e mirë e opinionit mezi është pajtuar me idenë se skuadra pa të shkuar si Skënderbeu dhe Kukësi janë shndërruar në realitetin e ri të futbollit shqiptar, por nëse i hedh një sy aventurës europiane të këtyre dy klubeve në 4 sezonet e fundit, e kupton qartë që arritjet brenda vendit nuk duhen paragjykuar.
Matësi më i mirë i forcës sportive janë kupat e Europës dhe nëse paratë e përftuara janë tregues, atëherë mund të themi që milionat e eurove që janë arritur janë një mrekulli më vete financiare për realitetin shqiptar.
Deri në këto moment, duke filluar nga viti 2013, Skënderbeu dhe Kukësi kanë marrë më shumë se 12 milionë euro nga pjesëmarrja në Europë, ku sigurisht që pjesën më të madhe e kanë korçarët, duke qenë se kanë luajtur më shpesh në Champions. Të dyja ekipet kanë bërë mirë në kupat e Europës, duke provuar “play-off”-in e Champions League-s, Europa League-s, madje dhe grupet e kësaj të fundit.
Këtë verë deri në këto moment dhe sikur të eliminohen Kukësi do përfitojë 550 mijë euro ndërsa Skënderbeu 430, por kualifikimet e mesjavës së ardhshme mund t’u japin një bonus shumë të madh ekipeve. Kukësi do kalonte shifrën e 1 milion eurove sepse do luante në “play-off”-in e Europa League-s, ndërsa Skënderbeu shifrën e 675 mijë eurove nga turi i tretë.
Thonë që kur zihen dy vetë fiton një i tretë, por Skënderbeu dhe Kukësi kanë ditur të zihen gjithë vitin, e të fitojnë para gjithë verën. Për momentin janë miliarderët e futbollit shqiptar.