Kualifikimi në Champions League nuk është më në duart e Milanit, që duhet të fitojë ndeshjet e veta dhe të shpresojë në humbjen e Atalantës ndaj Juventusit. Gjithsesi e sigurt është që në kampin kuqezi po përgatiten ndryshime madhore dhe ato do të bëhen jo vetëm në ekip, por edhe në staf.
Leonardo është në rrezik. Pa Champions braziliani është i larguar. Tanimë gjithçka është në duart e Ivan Gazidis. Strategjia e tij është e qartë: afrim të rinjsh të talentuar, rritje e vlerës së tyre dhe më pas arkëtim i të ardhurave të rëndësishëm. Futbolli është një biznes dhe ish-zyrtari i Arsenalit po punon për të vënë në jetë planin e tij.
Gazzetta dello Sport raporton se synohet një drejtor sportiv i cili të ketë aftësi të mira në zbulimin e talenteve, një i tillë si Luis Kampos i Lilë. Ky i fundit ka punuar në disa skuadra portugeze në të shkuarën, ndërkohë që ka bashkëpunuar edhe me Realin e Madridit si zbulues talentesh.
Te Monako bëri një punë kolosale dhe aty shpërthyen lojtarë si Mbape, Lemar, Fabinjo dhe Bakajoko. Këtë gjë kërkon të bëjë edhe Gazidis, ndaj edhe jo më kot ka dalë ne skenë edhe emri i Igli Tares, i cili në Itali është vlerësuar shpesh për rolin e tij te Lacio.
MALDINI DHE GATUZO – Administratori i kuqezinjve kërkon të vazhdojë bashkëpunimin me Leonardo Maldinin, i cili është drejtor strategjik. Një figurë e tillë duhet mbajtur në klub, kjo është shumë e rëndësishme. E ardhmja e Xhenaro Gatuzos është ajo që ende nuk është vendosur, edhe pse ka shumë zëra për Mauricio Sarrin su pasuesin e tij. Gazidisi po mendohet mirë dhe është në mëdyshje. Marrëdhënia e tij me trajnerin e Milanit është korrekte dhe palët janë të drejtpërdrejtë mes tyre.