Milani udhëton nesër drejt Xhenovës për t’u përballur me Sampdorian për kuadër të Kupës së Italisë. Xhenaro Gatuzo ka vendosur t’i dhurojë grumbullimin e parë Lukas Paketës, ndërsa pritet të shihet nëse blerja e re do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.
Trajneri ka vendosur të mos grumbullojë Suson për ndeshjen, që zhvillohet të shtunën në orën 18:00, duke e ruajtur spanjollin për finalen e Superkupës kundër Juventusit. Nga ana tjetër ka dalë në pah një emër i ri për merkaton e kuqezinjve.
“L’Equipe” raporton se Leonardo ka nisur kontaktet me agjentin e Maksuell Kornet, sulmuesin 22-vjeçar të Lionit. Lojtari nga Bregu i Fildishtë pëlqehet shumë nga Milani, por duhet mposhtur konkurrenca e Uotfordit, që ka gati 20 milionë euro për të bindur Lionin.
Kornet ka shënuar një gol në kampionat gjatë këtij sezoni në nëntë ndeshje të zhvilluara, ka gjetur tre herë rrugën e rrjetës në Champions (të tri golat ia ka shënuar Mançester Sitit) dhe numëron dy gola të shënuar në tetë ndeshje me kombëtaren.