Milani është në kërkim të një mbrojtësi. Demiral dhe Rugani të Juventusit janë preferencat e drejtuesve kuqezinj, por fatin e tyre e ka në dorë Mauricio Sarri. Njëri nga të dy do të largohet (me shumë mundësi i dyti) dhe pritet vendimi i trajnerit bardhezi.
Maldini, Masara dhe Boban nuk po qëndrojnë duarkryq dhe vazhdojnë punën për gjetjen e elementëve të tjerë. Ideja e fundit quhet Nikolas Otamendi. Hapësirat për 31-vjeçarin te Mançester Siti janë reduktuar dhe lojtari argjentinas (numëron 63 ndeshje me kombëtaren albiceleste) është me valixhe gati.
Milani kërkon të përfitojë situata e krijuar, por duhen fituar rivaliteti me spanjollët e Valencias. Otamendi nuk është emri i vetëm, sepse Milani interesohet edhe për Rodolfo Pizarron. 25-vjeçari meksikan është pjesë e Monterreit, luan në rolin e mesfushorit ofensiv dhe agjentët e tij ia kanë ofruar “djallit”.
Pizarro, i cili ka shënuar 4 gola në 22 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren e tij, bën mirë edhe krahët e sulmit. Fox Sports raporton se kartoni i tij kushton vetëm 8 milionë euro, një shumë modeste krahasuar me çmimet e çmendura që po qarkullojnë në merkato. Teknika dhe driblimi janë armët më të forta të “yllit” meksikan.