Skuadra e Milanit u përforcua gjatë kësaj merkatoje vere me mesfushorin brazilian Lukas Paketa, ndërsa në orët në vazhdim pritet të zyrtarizohet transferimi i sulmuesit polak Kristof Piatek, i cili do të zërë vendin e argjentinasit Gonzalo Higuain.
Megjithatë, “djalli” ka ndërmend të bëjë dhe një sforco të fundit me qëllim që në fund të sezonit të arrijë objektivin madhor e të kthyerit në Champions League. Bëhet fjalë për një sulmues krahu të djathtë, vend ku kuqezinjtë po studiojnë disa lojtarë.
Sipas medieve italiane një emër në tavolinë ishte dhe Hese Rodrigez, ish-lojtari i Real Madrid, që tani është pjesë e PSG-së. Interesant është fakti që spanjolli iu vetëofrua Milanit me anë të agjentit të tij, por drejtuesi i lartë i “djallit”, Leonardo, e refuzoi menjëherë, duke qenë se 25-vjeçari ka gati një vit pa luajtur dhe ndër të tjera, ai shquhet për karakterin e tij problematik në stërvitje.
Pas refuzimit të klubit milanez, agjenti i Hese po negocion me një tjetër klub italian. Sipas “Corriere Dello Sport”, Torino është shumë pranë firmës me spanjollin, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës së Ualter Maxarrit me anë të një marrëveshje huazimi me afat 6-mujor.