Milan dhe UEFA janë të përfshirë prej disa muajsh në një betejë ligjore në gjykatën e arbitrazhit sportiv të Lozanës. Institucioni qeverisës i futbollit evropian kërkon ta dënojë klubin italian me dy vite përjashtim nga kompeticionet e evropiane për shkak të shkeljes së rregullave të “Financial Fair-Play”.
Sipas “Gazzeta Dello Sport”, UEFA dhe Milani janë drejt një ujdie që do të anashkalonte vendimin e “CAS”. Drejtuesit e klubit italian kanë pranuar përjashtimin e klubit me vetëm një vit nga kompeticionet e evropiane, por për këtë “armëpushim” kanë disa kërkesa që duhen plotësuar nga UEFA .
Milani kërkon që t’i jepen 12 muaj kohë për të shlyer pagesat e shumta që rëndojnë financat. Drejtuesi i ri i “djallit”, Ivan Gazidis, është shprehur besimplotë se bilancet e klubit në vitin 2021 do të jenë komform rregullave të vendosura nga UEFA.
Megjithatë, nëse arrihet marrëveshja në fjalë, UEFA duhet të tregohet shumë e kujdesshme pasi rrezikon që të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.