Jahmir Hyka ka pasur radhën të shfaqet sot para medieve, duke folur nga Turqia, aty ku Shqipëria vazhdon përgatitjet në prag të transfertës në Izrael.
Mesfushori shtatshkurtër mungoi në Luksemburg, për shkak të udhëtimit të gjatë nga Amerika, por vetë Hyka nuk e konsideron problem këtë fakt: “Nuk është e lehtë të udhëtosh mbi dhjetë orë, por besoj që kjo nuk ndikon te fakti që jam pjesë e Kombëtares. Për mua prezenca këtu është krenari. Më tepër problem është ndryshimi i orarit nga Amerika në Europë, por në këto dy tre ditë jam ambientuar. Kampionati Amerikan? Nuk e prisja ashtu si ka dalë. Është një futboll shumë fizik, vrapohet shumë. Ka pak ndryshim në aspektin taktik me Europën, sepse ndoshta ekipet nuk e kanë taktikën. Por, cilësia nuk mungon dhe bëhet fjalë për një kampionat në rritje”.
Situata në kombëtare nuk është pozitive dhe Hyka e konsideron diçka normale: “Është normale që pas një humbje ekipi të mos jetë i lumtur, sepse në të kundërt nuk do të ishte shenjë pozitive. Por, këto ditët e fundit kemi më tepër përqendrim, pasi luajmë një ndeshje të rëndësishme ndaj Izraelit. Besoj se çdokush është i përqendruar dhe gati të japë maksimumin”.
Ndeshja në Luksemburg? “Nuk e kam ndjekur sepse isha duke udhëtuar, por i pashë më pas rastet e ndeshjes. Normalisht që nuk është një rezultat i mirë përpara ndeshjes me Izraelin. Fitorja do të na jepte vetëbesim. Pjesa e parë ishte mjaft e mirë për ne, ku krijuam disa raste për shënim. Pjesa e dytë u nis mirë me golin e Roshit, por fatkeqësisht Luksemburgu e përmbysi ndeshjes. Kjo nuk ishte pozitive, por shpresojmë të rikthehemi me Izraelin”.
Tashmë Hyka është një veteran, më i vjetri në skuadër pas 10-11 vjetësh: “Shiriti? Nuk e kam pasur asnjëherë dëshirën të jem kapiten. Për mua është kënaqësi që jam këtu dhe që të përfaqësoj kombin. Nuk ka rëndësi kush është kapiten, por rëndësi ka grupi. Shiriti mund të jetë kënaqësi, por për mua ka më tepër që ekipi të ecë përpara”.
Debati i madh në Shqipëri është pse ka ndryshuar për keq kombëtarja në krahasim me Europianin: “Pas asaj që arritëm me kualifikimin në Europian, ky ishte maksimumi. Të gjithë presin suksese të tilla gjithmonë. Por, duhet ta pranojmë se jemi në një grup të vështirë dhe ishte e vështirë të përsëritej ajo arritje. Në këto momente që jemi kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve, tifozëve, mediave. Ndaj Izraelit duhet të paraqitemi ndryshe dhe ta ndryshojmë këtë situatë”.
A pret Hyka të luajë titullar në Izrael? “Çdo lojtar nuk duhet të bëjë polemika në Kombëtare. Trajneri vendos se cilët luajnë. Duhet të jesh i gatshëm në çdo moment dhe unë këtë e kam bërë sa herë më është dhënë mundësia. Nuk e di çfarë do të vendosë trajneri për këtë ndeshje. Unë jam gati dhe shpresoj që formën e mirë që po kaloj në Amerikë të jap kontribut edhe në këtë ndeshje me Kombëtaren. Pozicioni në fushë? Besoj se trajneri i ndjek ndeshjet dhe e ka të qartë se ku mund të japin më të mirën lojtarët. Në Kombëtare nuk mund të thuash që kam qejf të luaj në këtë pozicion. Fillimisht vjen grupi dhe më pas individi. Nuk ka rëndësi ku luaj, unë mundohem të jap maksimumin. Prej vitesh luaj në krahun e majtë dhe pas sulmuesit, këto janë pozicionet ku mund të jap më të mirën”.