Shumë zhurmë, shumë spekulime, si zakonisht në periudhë merkatoje, por realisht Mervejl Ndokit është një xhevahir dhe Tirana shpreson ta shesë sa më shtrenjtë këtë verë, pasi ofertat janë të shumta.
“Sport Ekspres” publikoi para pak ditësh ofertën e ardhur nga LASK-u në Austri dhe tashmë zbulohet edhe dokumenti zyrtar, oferta që austriakët i kanë bërë Tiranës që në muajin maj dhe ka mbetur në fuqi për disa javë, por që Tirana e ka refuzuar.
300 mijë euro është oferta e LASK-ut për Tiranën, me pagesë në dy këste, por gjithashtu, në ofertë përfshiheshin disa bonuse: 25.000 euro nëse Mervejl luan 25 ndeshje sezonin e ardhshëm, 50 mijë euro nëse LASK shkon në grupet e Europa League dhe Mervejl luan 75% të ndeshjeve, 100 mijë euro nëse LASK shkon në grupet e Champions League.
Në letër ofertë serioze dhe interesante, por Tirana e ka refuzuar, duke parë se bonuset për grupet e kupave të Europës janë praktikisht të paarritshëm.
Ndërkaq, oferta tjetër zyrtare që është vendosur në tryezën e presidentit Refik Halili ka ardhur nga Turqia, nga Gëztepe. Klubi turk sapo është ngjitur në Superligë dhe synon të ndërtojë një ekip dinjitoz për të qëndruar në elitë, ndaj po kërkon përforcime dhe i ka nisur ofertë zyrtare Tiranës, 350.000 euro për talentin kongolez.
Këtu Tirana ka hezituar, por edhe kjo ofertë refuzohet, sepse klubi bardheblu e ka bërë të qartë: ofertat do të merren në shqyrtim vetëm nëse prekin shifrën e 500.000 eurove.