Tirana u mposht nga Laçi dy ditë më parë, ndërkohë që nuk duhet mohuar se bardheblutë dominuam në më të shumtën e kohës. Gjithsesi gabimet në prapavijë vijojnë të jenë prezente. Rastet e krijuara nga skuadra e drejtuar prej Ardian Memës ishin të shumta, por në fund 0 pikë.
Një analizë të asaj që ndodh te Tirana e kanë bërë edhe Astrit Hafizi, Sulejman Mema dhe Nevil Dede. Të pranishëm në studion e emisionit “Zona Gol” në Supersport, ata ndanë mendimet e tyre dhe theksi u vendos te mungesa e një lideri dhe e burrave në skuadrën e Tiranës.
ASTRIT HAFIZI – “Ndoshta te Tirana është i akumuluar problemi i drejtimit dhe menaxhimit të klubit. Nuk është se u bë këtë herë, por ka një dhjetëvjeçar që po kalon një ngërç që nuk po e zgjidhin sot, apo nuk po gjejnë atë grupin e njerëzve që duhet të bashkëpunojnë në klub. Nuk mund t’i zgjidhë punët vetëm një njeri. Nuk fola për krizë financiare. Nuk më duket e mirë zgjedhja e lojtarëve për një skuadër që do të pretendojë. Është një skuadër që për momentin duhet të rrijë në Superiore. Ka disa vite që aty luhatet. Nuk po e kuptojnë arsyen. Është emri, tradita dhe këtyre ata nuk u shkojnë mbrapa. Është emblema e klubit, këtu kemi dy lojtarë që kanë qenë pjesë e Tiranës, si Nevili, ashtu edhe Mema. Në kohën e tyre triumfi ka qenë i padiskutueshëm. Shumë më të mirë i ka lojtarët Partizani se Tirana. Ky është mendimi im personal. Partizani është shumë më lart”.
SULEJMAN MEMA: “Tirana nuk ka një lider dhe është pikërisht ai që mund ta drejtojë. Lideri hyn te burrat. Tirana në të gjitha repartet, po e theksoj dhe e kam thënë edhe herë tjetër, ka nga një mangët. I bie që Tirana të luajë me shumë pak vetë, normalisht karshi një kundërshtari që me ato aftësi që ka, i ka 11 që mund të jenë burra, 11 që mund të luftojnë. Tirana nuk i ka të tillë, kjo është edhe arsyeja që bën diferencën me pikë. Diferenca me Partizanin, ndryshe është në letër dhe ndryshe në fushë. Fanella e Tiranës është e rëndë”.
NEVIL DEDE: “Në ndeshjen e fundit deri diku Tirana kuptoi që është skuadër dhe mbi të gjitha kuptoi se ka mundësi për të bërë më mirë. Pjesën e dytë, me disa ndryshime të Memës, do dëshiroja që t’i kishte bërë pak më përpara në disa pozicione. E kam mik dhe takohemi shpesh e diskutojmë. Gjëja e parë ishte se skuadra mori një mesazh nga vetja e vet: të kuptojnë kë përfaqësojnë. Pjesa e dytë tregoi se kush duhet të jetë Tirana, pasi e dominoi kundërshtarin. Gjykova që kjo do të niste që javën e shkuar me Kastriotin.
“E dyta kanë fituar nga kjo pjesë e dytë, që pozicionet duhet të jenë ato që përmendëm. E treta është besimi që duhet të ketë kjo skuadër për atë që përfaqëson. E katërta, që është edhe më kryesorja, është filozofia që u injekton klubi lojtarëve, konkretisht dëshirën për të fituar ndeshjet, jo frika për të humbur. Tirana historikisht këtë ka pasur. Tirana duhet të kuptojë se si i ka rritur ndeshjet në këtë klub”.