Sergio Ramos e ka ndarë mendjen. Kapiteni ka vendosur të largohet nga Reali dhe të provojë një aventurë të re. 33-vjeçari dëshiron të ndërrojë kontinent dhe të transferohet në Kinë.
Një ofertë e parefuzueshme i ka ardhur nga futbolli aziatik dhe qendërmbrojtësi nuk ka ndërmend ta humbasë këtë rast.
Sipas raportimeve të programit “Jugones”, Ramos është treguar i drejtpërdrejtë me presidentin e Realit. Ai ka marrë pjesë në një takim me Florentino Perez, aty ku nuk mungonin edhe vëllai i tij, i cili është edhe agjenti i Sergios, dhe avokati.
“Më jep letrat”, i është drejtuar lideri i ekipit kreut të klubit, ndërsa ky i fundit ka mbetur i befasuar nga kjo kërkesë. “Nuk mund të largohesh, Reali nuk mund të humbasë kapitenin”, është përgjigjur Perez.
Raporti mes të dyve është krisur në mars, pasi Reali u eliminua nga Ajaksi në Champions. Perez shpërtheu në dhomat e zhveshjes. Kritikat pafund për lojtarët u shoqëruan me ngritje zëri dhe ofendime, ndërsa lojtari andaluzian i doli në mbrojtje ekipit dhe shokëve të tij.