Mbiemri Ekuban ngjall kujtime të bukura për tifozët e Partizanit. Jozef Ekuban, vëllai i vogël i ish-sulmuesit të “demave”, Kaleb Ekuban, ka ardhur në Shqipëri për të ndjekur të njëjtën rrugë që rezultoi e suksesshme vëllait të tij.
Në një intervistë për “RTSH SPORT”, lojtari i Partizanit foli mbi ditët e para me kampionët e Shqipërisë dhe ngjashmëritë midis tij dhe vëllait të tij.
Ekuban: Te Partizani jam mirëpritur nga klubi, stafi dhe shokët e skuadrës. Tani për tani po ndihem shumë mirë. U binda të jem pjesë e Partizanit, sepse para së gjithash më dhanë mundësinë të luaj në një kampionat të rëndësishëm dhe jam i motivuar për të dhënë maksimumin tim dhe të zhvilloj një sezon të mirë.
Ka ndikuar eksperienca e vëllait Kaleb në transferimin tuaj te Partizani?
Ekuban: Të them të drejtë po. Kur Kaleb erdhi këtu bëri shumë mirë dhe këtë shpresoj edhe unë. Të bëj mirë dhe në fund të vitit të shohim si do shkojnë gjërat.
Ngjashmëri mes teje dhe Kaleb?
Ekuban: Sipas meje jemi të ngjashëm në fizik dhe në mënyrën si sulmojmë hapësirat. Pastaj si të gjithë personat çdo kush ka karakteristikat e tij. Mua më pëlqen më shumë të luaj fizikisht dhe të gjej hapësira. Më pëlqen ndeshja kur ka hapësira dhe mund të përdor shpejtësinë, e të sulmoj në thellësi. Vihem në dispozicion të skuadrës kur duhet mbrojtur dhe ruajtur topi.
Jeni gati për skuadrën?
Ekuban: Prej 3 ditësh jam bashkuar me skuadrën dhe po stërvitem rregullisht me ekipin.Kam vetëm pak ditë, nuk jam në 100% të formës time, nëse aktivizohem premtoj se do të jap maksimumin.
Përballja me Karabag?
Ekuban: Jemi një grup lojtarësh shumë të mirë. Të gjithë punojmë së bashku dhe bëjmë atë që thotë trajneri në mënyrë që ta vëmë në zbatim. Do të jenë dy ndeshje interesante. Qarabag është një skuadër e vështirë, por ne do të bëjmë të pamundurën dhe të shohim në fund se çfarë do të ndodhë.