Goli i Lautaro Martinez i dhuroi tre pikë të rëndësishme Interit, që është rikthyer te fitorja. Luçiano Spaleti reagoi pas ndeshjes kundër Parmës, vlerësoi paraqitjen e djemve të tij dhe u ndal te Mauro Ikardi.
Trajneri i zikaltërve foli për rinovimin e kapitenit Ikardi, duke kërkuar qartësi nga klubi. Xhuzepe Marota ka reaguar për çështjen në fjalë.
Drejtuesi i klubit siguron që do të bisedojë nga afër me trajnerin, por mohon faktin që kjo situatë të kthehet në një çështje.
“Unë kam biseduar me Spaletin në telefon, por do të flas më shumë me të sot ose nesër. Këto situata duhet t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në interesin e të gjithëve. Rinovimi i Ikardit nuk është absolutisht një problem. Atë që kemi dashur të themi për këtë çështje e kam deklaruar dhe më parë. Më duket e drejtë ta sqaroj trajnerin, sepse të dy duam të mirën e Interit. Do të jetë një moment konfrontimi, një dinamikë normale. Për pjesën tjetër, unë e mohoj në mënyrë kategorike që kjo mund të krijojë një çështje tjetër“, sqaron Marota.