Herald Marku, mesfushori i Kastriotit, e ka nisur vitin 2019 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për teknikun Devolli. Para ndeshjes kundër Laçit, mesfushori ka folur për “Telesport”, ku u shpreh:
SITUATA NË EKIP – “Duke nisur që nga fillimi i javës, përgatitjet kanë qenë shumë të mira. Edhe ana psikologjike e skuadrës ka qenë shumë e mirë pas asaj fitoreje me Kamzën. Stërvitja ka qenë maksimalisht e mirë dhe mendoj se edhe harmonia në grup ka ndikuar në rezultatet pozitive të skuadrës”.
LAÇI – “Një ndeshje shumë e vështirë përballë një kundërshtari me shumë cilësi. Çdo ndeshje për ne është si një finale dhe çdo kundërshtari i kemi dhënë vlerësimin maksimal. Përgatitjet i kemi zhvilluar mjaft mirë, duke futur brenda edhe forcën fizike dhe kemi studiuar dhe anën taktike.
TIFOZËT – “Deri më tani, na kanë mbështetur në stadiumin e Fushë-Krujës, por mendoj nga paraqitjet e ekipit në këto katër ndeshje, edhe në transfertë do të kemi mbështetje. Forca që po tregon ky grup do të bëjë që të mbijetojmë, së bashku me harmoninë në ekip, që mendoj se është shumë e rëndësishme”,- u shpreh Marku.