Diego Armando Maradona dikur driblonte në mënyrë spektakolare në fushë, ndërkohë që tani legjenda argjentinase “fintet” i bën jashtë fushës. Deklaratat e tij janë shpesh të forta dhe ai është nga ata njerëz që nuk kursehen.
Përgjithësisht i ka dalë në mbrojtje Lionel Mesit, kurse tanimë qëndrimi i tij i fundit është disi i çuditshëm. Në një ndërhyrje që ka bërë në programin “L’ultima Parola” në “FOX”, Maradona është shprehur se futbollisti i Barcelonës nuk mund të jetë lider.
“Për mua është e vështirë të flas për këtë, por është e kotë që të konsiderohet lider një njeri që shkon 20 herë në tualet përpara një ndeshjeje futbolli. Mesi është Mesi kur luan me Barcelonën dhe është normal kur luan me Argjentinën”, është shprehur argjentinasi.
Por nuk është ndalur me kaq: “Nëse do bëhesha sërish trajner i Argjentinës? Nuk do e merrja Mesin, edhe pse kurrë nuk i dihet, por duhet t’i heqim presionin, duhet të rigjejmë liderin që duam që Mesi të jetë”. Dëshira e Maradonës për të marrë drejtimin e Argjentinës nuk fshihet, ndërkohë që nuk do t’i thoshte jo as Meksikës. “Po, do më pëlqente ta drejtoja”, përfundoi trajneri i Dorados.