Humbja ndaj Flamurtarit nuk ka ulur moralin te skuadra e Kukësit. Verilindorët duhet të bëjnë kthesën ndaj Tiranës këtë fundjavë në “Loro Boriçi”. Portieri i Kukësit, Faton Maloku, ka folur para mikrofonit të “Supersport” për ndeshjen ndaj kryeqytetase dhe ambientin te ekipi i drejtuar nga Armando Cungu.
“Po bëjmë një punë të mirë por po na mungon pak fati. Na duhet pak kohë, pasi edhe kem qenë pak të lodhur me ndeshjet në Europë. Nuk kemi pasur shumë kohë për kampionatin. Tani po e kapim veten dhe ftyra e Kukësit do të jetë më ndryshe. Po merremi me kampionatin dhe stërvitja po shkon shumë mirë”.
“Tirana është një emër i madh, por në Superiore nuk ka skuadër që mund të thuhet është e mposhtur apo e pamposhtur. Kampionati është shumë i fortë dhe nuk ka ndonjë ekip që ka shumë dallim. Një fitore do na nevojitej shumë, pasi do të rriste vetëbesimin, që na ka munguar pak”.
“Konkurrenca është shumë e mirë dhe shumë e fortë. Kukësi ka pasur gjithmonë portierë të mirë. Kam ardhur këtu duke ditur se punohet mirë dhe po shpërblehem” përfundoi lojtari i ardhur gjatë merkatos së verës nga Ferronikeli.