Merkato e verës do të sjellë shumë ndryshme te skuadra e Barcelonës. Drejtuesit e kampionëve të Spanjës po mendojnë që të shesin brazilian Malkom, të cilin e blenë në fillim të sezonit për 40 milionë euro.
Futbollisti 22-vjeçar ka luajtur shumë pak dhe të dyja palët e kanë kuptuar se transferimi në Spanjë nuk ishte një vendim i goditur. Pavarësisht minutazhit zhgënjyes në La Liga, kërkesa për Malkom mbetet e lartë dhe me shumë gjasa Barcelona do ta shesë atë duke arkëtuar një shumë më të madhe se sa çmimi i blerjes së tij nga skuadra e Bordos.
Sipas medies katalanase “Cadena SER”, drejtori teknik Erik Abidal ka menduar një plan interesant për të zëvendësuar brazilianin. Përfaqësuesit e klubit “blaugrana” po negociojnë prej disa ditësh me agjentin e futbollistit të Mançester Junajtid, Huan Mata.
Transferimi i mëngjarashit në Barcelonë nuk do t’i kushtojë asnjë qindarkë Barcelonës, pasi kontrata e Matës me “djajtë e kuq” mbaron në përfundim të këtij sezoni. Sigurisht, bëhet fjalë për një lojtar me eksperiencë, i gatshëm të pranojë stolin, një fakt ky që e bën Matën një objektiv kryesor të merkatos së Barcelonës.