Takimi midis Besës së Kavajës dhe Bylisit të Ballshit u ndal në minutën e 80-të kur rezultati ishte 1 – 0 për ekipin mik. Shkak për ndërprerjen e parakohshme të ndeshjes u bë goditja e arbitrit anësor nga një send i fortë.
Trajneri i ekipit kavajas, Gugash Magani, ka folur për “RTSH SPORT” në përfundim të takimit. Tekniku peqinas mori përgjegjësitë për lojën e dobët të skuadrës së tij, por nuk ngurroi të sulmonte arbitrin Klajdi Kola, të cilin e akuzon për njëanshmëri.
Në fakt, dua ta filloj nga pjesa teknike e lojës. Mund të them që kemi zhvilluar një ndeshje të dobët. Kanë ndikuar dy faktorë: Presioni, që na duhej patjetër, por mund të luhej edhe për barazim. E dyta është që kur kanë ardhur arbitrat, kanë qenë të paragjykuar dhe pasi pashë lojën, jam dakord për paragjykimin.
Gjithsesi, unë mendoj që goli i Bylisit ka qenë faull para se topi të shkonte atje. Kemi dyshime për një penallti që na u mohua. Kartoni i kuq i vuri vule gjithçkaje. Lojtari godet topin, ai i nxjerr karton të kuq lojtarit tim. Për dy rastet e para, nuk mund të jap një mendim të saktë, por te kartoni i kuq ka qenë diçka e papranueshme.
Mendonim që do të vinte një gjyqtar i FIFA-s. Gjithsesi, loja fitohet në fushë dhe me drejtësi. Sot, nuk kishte drejtësi. I njëjti arbitër më ka ndëshkuar edhe në Durrës. Nuk mund ta them se pse mund ta paragjykoj arbitrin. Përderisa ai gjykon në Superiore, nuk është i paaftë. Ai na ka ndëshkuar me dashje. Trajnerët në Shqipëri nuk thonë gjithmonë të vërtetën, por unë po e them. Marr përsipër lojën e dobët të skuadrës dhe fjalët që thashë për arbitrin” përfundoi Magani.