Luftëtari njeh vetëm largime. Klubi gjirokastrit deri më tani kishte njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me lojtarë si Shkëlzen Ruçi, Rustem Hoxha dhe Albano Aleksi. DItën e sotme është zyrtarizuar një tjetër largim dhe është mbrojtësi brazilian Xhekson Ferreira, i cili pas 18 muajsh me bluzinjtë largohet në kërkim të një tjetër aventure.
Futbollisti 28-vjeçar është aktivizuar në 37 ndeshje në Superiore, ndërkohë që përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” bën me dije largimin dhe i falënderon të gjithë në kampin bluzi. Me interesin pritet të mësohet skuadra e tij e re, pasi është lakuar shpesh te Kukësi dhe Partizani.
“Sot kontrata ime përfundoi. Dua të falënderoj presidentin, bordin drejtues, të gjithë ata që punojnë në klub, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe çdokënd në qytetet që më ka pritur mua shumë mirë. Jam i lumtur që kam dhënë ndihmën time që Luftëtari të shkojë në kupat e Europës dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, si dhe që e lë ekipin aty ku e meriton, në Kategorinë Superiore. Ju uroj më të mirat, Luftëtarë! Faleminderit për gjithçka. Ne jemi Luftëtari”, shkruan Xhekson.