Liverpuli ka fituar garën për të blerë mbrojtësin Virxhil Van Dajk nga Sauthemptoni, pasi vetë holandezi ka njoftuar klubin e tij se preferon të shkojë në Liverpul.
Jyrgen Klop e ka kërkuar me çdo kusht Van Dajkun, duke e parë si zgjidhjen e problemeve të mëdha të mbrojtjes te “The Reds”. Rivaliteti ishte i madh, sepse edhe Çelsi e Mançester Siti luftonin për të njëjtin lojtar.
Gjithsesi, 25-vjeçari ka zgjedhur të kuqtë dhe duket se marrëdhënia Sauthempton-Liverpul është e pathyeshme, duke qenë se në vitet e fundit shumë lojtarë kanë ndjekur të njëjtën rrugë, aq sa me humor në Angli thuhet se Liverpuli pret fundin e sezonit dhe shikon cilët janë lojtarët më të shtrenjtë të Sauthemptonit, për t’i blerë.
Tani duhet gjetur marrëveshja mes klubeve dhe Sauthemptoni kërkon deri në 60 milionë sterlina, ndërsa mbrojtësi do të firmosë një kontratë me thuajse 10 milionë sterlina në sezon.