Milani ka qenë një ndër klubet më aktivë në dy merkatot e fundit, me dyshen Leonardo-Maldini që kanë bërë një punë të kënaqshme. Puna për merkaton e ardhshme, ka nisur që tani, teksa braziliani dhe italiani po përcaktojnë objektivat.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, duket se Leonardo ka pasur një takim ditën e djeshme me Mario Xhiufredin. Një emër mjaft i dëgjuar, sidomos për ne, pasi është edhe menaxher i lojtarit tonë të kombëtares, Elseid Hysajt. Gjithsesi, nuk bëhet fjalë për shkodranin, por për Xhordan Veretu.
Mesfushori francez, i cili luan për Fiorentinën, është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të vjollcëve dhe verën e kaluar ishte objektivi kryesor i Napolit, me të kaltrit që nuk arritën të kënaqnin pretendimet e drejtuesve nga Firence.
Tashmë, duket se Veretu është kthyer në objektiv kryesor për Milanin dhe Leonardo e sheh si një kanditat potencial për të udhëhequr mesfushën e kuqezinjve sezonin e ardhshëm. Drejtuesit nga Milano, thuhet të kenë gati një ofertë prej 20 milionë eurosh, teksa mbetet për t’u parë përgjigja e Fiorentinës.