Pak javë më parë Teuta zyrtarizoi largimin e Latif Amadu, por nuk ishte e thënë që ganezi të largohej nga skuadra durrsake. Klubi bjellorus, Shaktar Soligorsk, u tërhoq nga marrëveshja në momentin e fundit dhe 25-vjeçari mbeti sërish nën urdhrat e Bledi Shkëmbit.
Në një intervistë për “Supersport”, futbollisti ganez u shpreh se prishja e transferimit nuk ka ndikuar fare tek ai dhe si një njeri besimtar, Latif beson se Zoti ka planifikuar gjëra akoma më të mëdha për të.
“Para se të dëgjoja për transferimin nuk dija gjë fare për Bjellorusinë. Unë e di se Zoti ka një plan për çdo kënd. Kam qenë dhe do të vazhdoj të jem i përqendruar te Teuta, s’kam pse të shqetësohem”.
“Zoti ka një plan për gjithçka dhe ndoshta ka një plan të shkoj në një klub më të madh se sa ai në Bjellorusi. Mendoj se Zoti dëshiron të bëj gjëra të mëdha me Teutën, ndoshta do të fitojmë titullin”.
BUSHIÇ – “Jam gëzuar kur mora vesh se do vinte te Teuta. Ai është një sulmues shumë i mirë. Së bashku mund të ndihmojë Teutën”.
KAMPIONATI – “Teuta do të jetë më mirë se gjysmën e parë të sezonit. E nisim me vështirësi dhe njerëzit nuk kishin besim te ne, dhe më pas të gjithë e panë. Mendoj se do të pjesa e dytë do të jetë akoma më eksplozive se e para”, përfundoi Latif.