Institucioni i trajnerit në Shqipëri është shumë i dobët. Bërrylat janë të shpeshtë, por ka edhe raste kur të gjithë solidarizohen. Skënder Gega i bashkon trajnerët, largimi i tij nga Partizani nga askush nuk gjen mbështetje. Të sjellësh titullin kampion pas 26 vitesh dhe të largohesh më pas nuk gjen shpjegime.
Gega nuk do të bëjë zhurmë, për një sezon të tërë vetëm në një konferencë “shpërtheu” dhe e bëri për shkak të dënimit të tifozëve. Zyrtarisht ka ikur për arsye personale, por e vërteta është ndryshe. Raporti i tij me drejtuesit ka pësuar një krisje, kjo për shkak se pas fitimit të titullit u bënë shqiptarë në sjellje. Titullin e fituan si amerikanë. Por “ujku qimen e ndërron dhe zakonin s’e harron”.
Një nga ata që ka mbetur i zhgënjyer nga largimi i Skënder Gegës është edhe trajneri Edmond Lutaj, i cili më parë ka drejtuar Flamurtarin. Me ish-trajnerin e Partizanit ka njohje personale, ndërkohë që në llogarinë e tij në Facebook ka postuar një foto me Gegën dhe shkruan çfarë mendon.
“Zhgënjimi i radhës në futbollin shqiptar. Një ekip që e kam në zemër. Partizani del kampion mbas 26 vitesh. Normalisht trajnerit i rriten kompetencat, përmirësohet kontrata dhe vihen piketat për të ardhmen. Çfarë bën Partizani?! Zgjedh një trajner tjetër për arsye se ky trajneri tjetër nuk ka shumë pretendime për stafin.
Misioni i tij do të jetë vetëm përgatitja teknike e skuadrës, ndërsa menaxhimi dhe merkatoja ka mbetur kompetencë e drejtuesve. Por kur drejtuesit janë aq të zotë, pse nuk bëjnë dhe anën teknike?! Dalin përsëri kampion dhe me kosto minimale. Gjithë kjo lëvizje më le shije shumë të keqe. Respekt për stemën, tifozët dhe ish-trajnerin Skënder Gega”, shkruan Lutaj.
Prof. Gega u tregua me mend. Kuptoi qe klubi i Partizanit, eshte nje klub mafioz, ku pastrohen parate. Tani Partizani do e marre titullin e rradhes vetem kur te rreshtohen perseri planetet ne vije te drejte.