Pjesëmarrja në kompeticionin më prestigjioz për klube në kontinent, kërkon dhe përforcime që i përligjen nivelit. Kampionët e Shqipërisë ende nuk e kanë bërë goditjen e parë, por duket se gjithçka është në rrugën e duhur. Diçka e tillë mund të thuhet se konfirmohet nga menaxheri i klubit, Naim Halili, i cili në profilin e tij në “Facebook” ka postuar videon e një futbollisti mjaft impresionues.
Bëhet fjalë për një mesfushor nigerian, Xhon Ogu, i cili aktualisht është pjesë e ekipit të Hapoel Ber Sheva në Superligën e Izraelit.
Sigurisht që nuk mund të flitet për një hap konkret, por nëse kuksianët do të afronin 29-vjeçarin, i cili më parë ka luajtur dhe me ekipet Kombëtare të Nigerisë, do të ishte një super goditje. Ogu është një lojtar i lirë, megjithatë vlera e tij sipas “Transfermarket” është plot 1.5 milion Euro. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse Kukësi do të nisë serinë e goditjeve të bujshme, pikërisht nga mesfushori, i cili mbylli sezonin me kampionët e Izraelit. Gjithsesi Halili mund ta sqarojë më mirë, nëse postimi ka qenë ndonjë gabim, apo lojtari është vërtetë një objektiv i verilindorëve…