Klubi i Kukësit ka bërë të ditura çmimet e biletave për ndeshjen e së premtes kundër Partizanit, takim ky që do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Shkodrës, “Loro Boriçi”.
Ndoshta për të parën herë në një ndeshje të Kategorisë Superiore, bileta më e lirë është 1000 lekë (të reja), ndërkoha që çmimi biletave e Tribunës VIP dhe sektorëve A dhe B është 2000 lekë.
Çmimi nuk përkon me asnjë nga takimet e mëparshme që Kukësi ka zhvilluar në “Loro Boriçi” ose në impiante të tjera. Në një kampionat ku kemi një numër shumë të pakët tifozësh në stadiume, kjo lëvizje e klubit verilindor nuk mund të anashkalohet si hiçgjë.